Mungesa e rezultateve evidente në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe mungesa e përparimeve në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga njohës të çështjeve të integrimeve evropiane po vlerësohen si dy arsyet kryesore të cilat kanë ndikuar që Bashkimi Evropian (BE) të mos e shqyrtojë seriozisht as gjatë vitit 2019, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sipas tyre, në veçanti, BE-ja pret që në Kosovë të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë në mënyrë që të dërgohen dëshmi serioze për ndërtimin e një shteti ligjor.
Për afërsisht dhjetë vjet rresht, liderët politikë kanë premtuar liberalizmin e vizave, e madje edhe janë ngritur dolli e festa se procesi ishte përmbyllur me sukses.
Video nga arkivi: Më 2016, atëbotë ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku kishte festuar “liberalizimin e vizave” për qytetarët e Kosovës
Gjatë vitit 2019, ishte kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ai i cili gjatë verës së vitit 2019, ua adresoi një urim qytetarëve të Kosovës duke thënë se në fund të vitit do të marrin vendimin pozitiv të vendeve anëtare të BE-së.

Por, ngjashëm me vitet tjera, edhe viti 2019 u përmbyll pa liberalizim të vizave, që nënkupton se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa lirinë e lëvizjes pa viza drejt vendeve anëtare të BE-së.
Kur erdhi fundi i vitit, Haradinaj tha se shtyrjes së datës për liberalizim i kanë kontribuar dy partitë që po synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan Koha.net.
“Mund të jetë edhe vonesa në moskrijimin e institucioneve që disi po zbehin fuqinë tonë”, ka thënë Haradinaj për mediat në Prishtinë.