Gjatë ditës së sotme, në zyrat e drejtorisë së Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “ Prishtina” u mbajt takimi përmbyllës i vitit 2019 i Bordit të kësaj kompanie dhe zyrtarëve të lartë të saj.
Në këtë takim, Bordi i Drejtorëve ndër tjerash diskutoi për objektivat e larta lidhur me rritjen e faturimit, rritjen e arkëtimit, zvogëlimin e shpenzimeve, rritjen e investimeve kapitale, reduktimin e humbjeve të ujit dhe shumë objektiva të tjera të cilat janë urë ndërlidhëse e vitit 2019 dhe 2020.
Përgjatë këtij takimi përmbyllës u diskutuan çështje të ndryshme si, orientimet dhe objektivat zhvillimore të kompanisë, rezultatet e deritanishme të arritura përgjatë viteve të kaluara, gjendja ekzistuese e parametrave financiar dhe operativ, përdorimi i metodave krahasuese dhe empirike në mënyrë të arritjes së efektshmërisë, direktivat evropiane për ujin e pijshëm dhe ujërave të zeza, etj.
Ata u shprehën të gatshëm që, edhe në vitin 2020 do të punojnë pandalshëm në përmbushjen e vizionit dhe misionit të ndërmarrjes.
Drejtorët e bordit dhe zyrtarët e lartë falënderuan të gjithë konsumatorët për pagesa të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit me mesazhin e qartë që, çdo pagesë e tyre për shërbimet e ofruara do iu rikthehet në investime afatgjate infrastrukturore për një jetë më të lehtë e më të mirë për ta, shkruan Klan Kosova.
Në të njëjtën kohë falënderuan të gjitha komunat në zonën operative me të cilët do të vazhdojë bashkëpunimi në të mirë të qytetarëve të komunave përkatëse, falënderuan edhe KFOR-in dhe të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara për bashkëpunim të shkëlqyeshëm ndër vite.