Vjosa Osmani ka reaguar pasi që është kërcënuar Besnik Mustafa, djali i Isa Mustafaës.
Besnik Mustafa, djali i kreut të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, është kërcënuar gjatë ditës së sotme, shkruan InLajmi.
Këtë e ka bërë të ditur vet Mustafa përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.
Pas kësaj ka reaguar Vjosa Osmani.
Osmani përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ka kërkuar nga të gjithë subjektet politike që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por, edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim.
Postimi i plotë i saj:
Për fat të keq, tashmë gjuha e urrejtjes është kthyer gjithandej në përditshmëri, por kërcënimi i familjeve është sulm ndaj vlerave më të rëndësishme që kemi si shoqëri. Familja është e shenjtë dhe nuk ka dallim politik që arsyeton nxitjen e urrejtjes e të kërcënimeve të tilla.
Është koha që të gjithë të bëjmë thirrje e të punojmë për gjuhë përafruese e të mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit. Pavarësisht dallimeve politike, ne të gjithë kemi vetëm një atdhe, Republikën e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë e zhvillojmë duke respektuar njëri-tjetrin. Prandaj i ftoj edhe përfaqësuesit e tjerë politik që jo vetëm të dënojnë gjuhën kërcënuese por edhe t’i ftojnë aktivistët e anëtarët e tyre për gjakftohtësi, tolerancë e mirëkuptim./InLajmi