Komuna e Prishtinës ka mbetur prapa shumë komunave tjera në realizimin e projekteve kapitale.
Faji për këtë po hidhet te kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, si dhe te keqplanifikimi i projekteve.
Një subjekt politik në Komunë ka kërkuar edhe shkarkimin e të parit të kryeqytetit, teksa asamblistët janë shprehur pesimistë për ndryshimin e kësaj gjendjeje.
E mori kryeqytetin nën sloganin “Jepi krah Prishtinës”, por kryetarit aktual Shpend Ahmetit i janë thyer krahët në qeverisje, pasi që 2019-n po e përmbyll me shumë pak projekte kapitale të finalizuara.
Ahmeti ka humbur edhe besimin e Kuvendit Komunal të kryeqendrës, pasi ata i kanë vënë në pah pa hezituar dështimet përgjatë tërë vitit.
Nga asamblistët e Kuvendit Komunal në veçanti është theksuar mungesa e finalizimit të projekteve kapitale, të cilat sipas tyre e kanë lënë Prishtinën pas komunave tjera.
Mosinvestime ka pasur edhe në sektorë tjerë si në arsim, në shëndetësi e në infrastrukturë, teksa asamblistët janë shprehur pesimistë se kjo gjendje do të përmirësohet në 2020-n, shkruan gazeta Zëri.
Madje Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe pezullimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.