Ende nuk ka filluar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, teksa deputetët e zgjedhur tashmë po hynë në Kuvend dhe po zënë vendet e tyre në sallë, shkruan InLajmi.
Pak çaste para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj si lider i AAK-së ka deklaruar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve të vendit bie mbi fituesin e zgjedhjeve, saktësisht mbi Lëvizjen Vetëvendosje.
“Duhet të ndodhë konstitumi i Kuvendit. Mosmarrëveshja mes dy partive është çështje tjetër, duhet të pyeten ata. Përgjegjësia për krijimin e institucioneve bie mbi fituesin e zgjedhjeve, jo mbi të dytin apo të tretin. Vetëm ai që ka fituar zgjedhjet i krijon institucionet. Duhet me u konstitu Kuvendi, vonesat tash e tutje për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë bien mbi z.Kurtin si fitues”, tha Haradinaj.
Ramush Haradinaj theksoi se vetëm ata kanë të drejtë të propozojnë Kryetarin dhe nëse VV propozon sot Kryetarin nuk ka ngërç, ka afat kohorë.
“Unë kam dhënë dorëheqje, por sot jam në shoqëri të kolegëve deputet”, tha Haradinaj i cili hoqi dorë nga kjo pozitë për t’ia liruar vendin dikujt tjetër nga radhët e AAK-së./InLajmi