Fëmijët janë krijesë e ëmbël njëherësh edhe të ndjeshëm që dëshirojnë një përkushtim të madh ndaj tyre.
Shumë fëmijë që nga muajt e parë të lindjes, si shtëpi të dytë e kanë kopshtin, ku prindërit në pamundësi për t’u përkujdesur në kohë të plotë për shkak të angazhimeve të tyre në punë i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe, publike e disa në private.
Në çerdhe fëmijët mund të hedhin hapin e parë, fjalën e parë, por edhe të kapin lugën e ushqimit për herë të parë. Ka shumë prej atyre prindërve që ankohen kur thonë se fëmija i tyre sa është në shtëpi nuk luan e as nuk hanë e kur është në çerdhe ha, madje pa naze.
Por, ju prindër a i keni bërë pyetje vetës se sa cilësor është ai ushqim që fëmija juaj ha në atë çerdhe ose a është i shëndetshëm për fëmijën tuaj ushqimi që hanë ai/ajo, sa ngopen fëmijët me ushqmin që ata hanë gjatë orëve që ata qëndrojnë në çerdhe, shkruan InLajmi.
Për gjithë këto pyetje Gazeta InLajmi ka marrë përgjigje e këshilla nga persona përkatës rreth kësaj çështje.
Për Gazetën InLajmi, ka folur prindëri i një fëmije në çerdhen shtetërore, L.R ku ka thënë se nuk janë mjaftueshëm të kënaqur me ushqimin pasi që sipas asaj nuk kanë ndonjë kontrollë nga institucionet përkatëse, çerdhet në Prishtinë.
“Të kënaqur jemi deri në një farë mase, pasi që dihet se në Kosovë nuk ka edhe ndonjë kontrollë nga institucionet konkrete”. E pyetur nga InLajmi se ku i adresoni ankesat. Prindi në fjalë shtoi se “Ankesat sigurisht së pari adresohen tek mësuesja e fëmijës, nëse nuk ka përmirësime atëherë drejtohem te drejtoria”.
Një prind tjetër emër i njohur për redaksinë ka thënë se ushqimi i çerdhes nuk është prej më cilësorëve por është i ndryshëm çdo ditë dhe i preferueshëm për fëmijën.
“Sa i përket ushqimit, nuk është prej më cilësorëve por është i llojllojshëm dhe i akseptueshëm për fëmijët. Menyja është e punuar nga Nutricionista në nivel Komunës”.
Ajo shtoi se “Mënyja e çerdhes është publike dhe është e ndarë sipas ditëve. Çdo javë përsëritet cikli i njëjtë. Vërejtja ime është që të përdoren në meny më shumë pemë dhe perime në varësi të stinës”
E pyetur nëse ka dalë nga çerdhja fëmija i tyre i uritur, ajo u përgjigjë “Po ka ndodhur, por mendoj qe kjo varet edhe prej fëmijëve, për nevojën e tyre për më shumë shujta gjatë ditës, edhe pse kjo nuk është e rregulluar në nivelin e çerdhes”, ka thënë M.Q.
Për cilësinë e ushqimeve në çerdhet publike Gazeta InLajmi ka marrë një prononcim nga Drejtoresha e çerdhes publike “Lulevera”, Mihrije Spahiu e cila ka thënë se fëmijët hanë dy vakte dhe kanë zamrën ku ndryshon çdo ditë të javës.
“Furnizimi me ushqim bëhet nga kuzhina qendrore, menyja ndryshon çdo ditë të javës”, ka thënë ajo.
Spahiu, lidhur me cilësinë e ushqimeve ka thënë se nuk ka ndonjë ankesë as nga fëmijët dhe as nga prindërit.
“Tani për tani nuk ka ankesa për ushqimin nga ana e prindërve dhe nëse ka ankesa ne i adresojmë tek organet kompetente që merren me këtë çështje” shprehet drejtoresha e çerdhes “Lulevera”, duke shtuar se “ Ushqimi në çerdhe është i njëjtë për të gjithë fëmijët
Njëra nga edukatoret në këtë institucion thënë se fëmijët ushqehen mjaftueshëm në çerdhen tonë dhe nuk kemi pasur ankesa.
“Fëmijët ushqehen mjaftueshëm deri sa të ngopen me vaktet që ju servohen, në shumicën e vakteve fëmijët e pëlqejnë ushqimin që ju servohet dhe nuk kemi pas ankesa “, ka thënë edukatorja e kësaj çerdhje në Prishtinë.
Rreth temës për cilësinë e ushqimeve, Gazeta InLajmi ka marrë në një intervistë të shkurtër zv. Drejtoreshën e çerdhes publike “Xixëllonja”, Elvira Raci e cila ka thënë se fëmijët hanë ashtu si në çerdhet tjera, ku ushqimin e sjell kuzhina qendrore e menagjuar nga Komuna e Prishtinës.
“Mëngjesin, drekën dhe zamrën pas gjumit e hanë fëmijët rregullisht, kuzhina qendrore përgatit për të gjitha I.P publike”, e cila e pyetur nga Gazeta Inlajmi se a kanë pasur ankesa nga prindërit ose fëmijët për ushqimin, ajo ka thënë se po shumë herë.
Ndërkohë, edukatorja në çerdhen “Xixiëllonja” me inicialet L.S ka thënë se ushqimet që fëmijët hanë gjatë kohës sa janë aty është i mjaftueshëm, dhe se ushqimi në përgjithësi iu pëlqen fëmijëve.
“Për aq kohë sa fëmijët qëndrojnë në kopsht mendoi se janë të mjaftueshme vaktet e ushqimit. Në orën 9 kanë mëngjesin, në 12:00 drekën dhe zamrën në 14:30. Në përgjithësi ju pëlqen ushqimi që servohet në kopshtin tonë.
Nëse një fëmije nuk i pëlqen ndonjë ushqim i caktuar ka mundësi të zëvendësohet me diçka tjetër si p.sh. bukë e lyer me vajkrem , gjemë ose djathë”, ka thënë edukatorja në fjalë.
Nga Institucioni tjetër parashkollor në kryeqytet “Gëzimi ynë”, Indire Zenelaj ka thënë se ushqimi vjen prej kuzhinës qendrore ku hartohet nga nutricionistë, që sipas saj ushqimi është i freskët.
“Po, ushqimi vjen prej kuzhinës qendrore është mënyja e hartume prej një nutricionistes, ushqimi është i freskët, ushqimi nuk është çdo ditë i njëjtë, janë termosat me të cilët e sjellin ushqimin kuzhina qendrore, ndërsa tek ne vetëm servohet”, ka thënë Zenelaj.
E pyetur për cilësinë e ushqimit ajo shprehet “Ne i kemi 410 fëmijë në kopsht kryesisht ndonjë fëmijë mundet me mungu naj ditë, pra kemi raste kur fëmijët nuk e hanë ndonjë ushqim, është e pamundur që të gjithëve të iu pëlqejë ushqimi , kemi raste p.sh fasulja është një ushqim që gjithmonë pëlqehet shumë prej fëmijëve, sallatën e hajnë të gjithë, p.sh ka raste kur djathin nuk e pëlqejnë krejt fëmijët mirëpo qëllimi jonë është më i shti fëmijët me hangër diçka, qoftë edhe një lugë a dy, pra qëllimi jonë është që fëmijët me i msu me hangër ushqime të shëndetshme”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka shtuar se prindërit janë të informuar për menynë, për ushqimin që iu servohet në këtë çerdhe e cila ka thënë se kemi edhe ankesa nga prindërit por ato janë të pakta, që i kemi zgjidhur me bashkëpunim.
“Prindërit e shohin menynë e dinë edhe ushqim, mundem me thanë se nuk kemi ankesa të prindërve, ndoshta ndonjherë mundet me qenë subjektiv edhe me pas ndonjë kërkesë ose ankesë por janë probleme që i kemi zgjidhur. Kemi prind të rinj që e kanë fëmiun e parë, dhe ne ju kemi spjegu se fëmijët i kemi këtu për me i bërë të gatshëm për jetë”, ka thënë drejtoresha e çerdhes “Gëzimi ynë”, Indire Zenelaj.
Ndërkaq, për këtë çështje ka folur edhe një nga edukatoret e kësaj çerdhje e cila ka hezituar t’i publikohet emri, ka thënë se kanë pasur ankesa nga prindërit për ushqimin që iu është servuar fëmijës së tyre, por kur kanë biseduar me prindërit është sqaruar çdo gjë.
Rreth kësaj çështje, Gazeta InLajmi ka marrë një prononcim edhe nga Komuna e Prishtinës e cila ka thënë se ushqimi që fëmijët hanë çdo ditë përgatitet nga kuzhina qendrore që është nën mbikëqyrjen e kësaj Komune.
“Fëmijët i marrin dy shujta, mëngjesin dhe drekën, plus zamren. Ushqimi përgatitet në Kuzhinën Qendrore, që është institucion nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Komunës të Prishtinës.
Duke shtuar se “Plan programi i ushqimit për çerdhet publike të Prishtinës është hartuar dhe konsoliduar në bashkëpunim me dietolog dhe nutricionist, në mënyrë që shujtat që ofrohen në çerdhe, në bazë të moshës, të sigurojnë edhe të gjitha vlerat ushqyese të domosdoshme për fëmijët. Përveç që ushqehen, fëmijët në të njëjtën kohë edhe edukohen për të konsumuar ushqim të shëndetshëm”, thonë nga zyra për informim e Komunës së Prishtinës.
Nutricionisti i mirënjohur Dr.Ismail Lutolli, ka thënë se ushqimi në çerdhe duhet të jetë specifik për secilën grup moshë me meny të veçantë.
“Ushqimi në çerdhe duhet të jetë special, duke marrë parasysh kategoritë e grupmoshave që frekuentojnë çerdhen. Në çerdhe gjejmë fëmijë nën moshën 1 vjeçare pastaj ata 1 deri 3 vjeç si dhe në fund 3 deri 6 vjeç. Secila nga këto kategori duhet të ketë menynë e veçantë të ushqyerjes pasi edhe kërkesat nutritive të këtyre grup moshave dallojnë. Marrë në total ushqime për fëmijët deri në moshën 6 vjeçare duhet te jetë mjaft i begatë me vlera ushqyese, i pasur me nutrientët e nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e tyre dhe për këtë arsye e themi se duhet të jetë më i veçantë”, ka thënë Dr.Lutolli.
Ai tutje ka thënë se ushqimi i servuar në çerdhe duhet të jetë në bashkëpunim me dietolog e cila është e nevojshme për zhvillimin normal të fëmijës, ku duhet të jenë të pasura me lëndë ushqyese si proteina, karbohidrate, yndyra, vitamina e minerale të ndryshme, ku sugjeroi të i mbani fëmijët sa më larg ushqimeve që ata i kanë të preferueshme duke filluar nga ëmbëlsirat e deri të ushqimet e shpejta.
I pyetur nga Gazeta InLajmi se ushqimet në çerdhet publike në kryeqytet a janë të rekomanduara nga nutricionist, ai ka kthyer përgjigje se në Kosovë duhet të ekzistonte një meny e organizuar mirë në bashkëpunim me mjek pediatër dhe dietolog, të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe të shërbehej në çdo çerdhe.
“Mendoj që në kryeqytetin e Kosovës por edhe në qytetet tjera do duhej të ekzistonte një meny e përpiluar në bashkëpunim të ngushtë nga mjek Pediatër dhe dietolog. Kjo meny do duhej të miratohej nga Ministria përkatëse dhe do duhej të shërbente për çdo çerdhe dhe kopsht”, ka thënë Lutolli.
Ai ka përfunduar duke thënë se rritja e shëndetshme e fëmijëve tanë duhet të jetë prioritet i çerdheve dhe kopshteve dhe në këtë aspekt ushqimi luan rolin kryesorë.
Inlajmi ka kontaktuar edhe Lamir Thaçi, Zyrtar për Informim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i cili rreth kësaj çështje ka thënë se kjo agjenci bën vizita të rregullta në kuzhinen qendrore, nga e cila furnizohen me ushqim të gjitha çerdhet e kryeqytetit dhe sipas tij kushtet higjeno-sanitare në këtë kuzhinë janë në nivelin mesatar.
“Inspektimet e institucioneve edukative- arsimore kryhen rregullisht sipas planit për kontroll, bazuar në Ligjin e Inspektoratit Sanitar. Pas inspektimeve të realizuara, inspektorët sanitarë kanë konstatuar se kushtet tekniko sanitare dhe higjiene sanitare, marrë në përgjithësi janë në nivel mesatar”.
Ai shtoi se “Të gjitha çerdhet publike furnizohen me ushqim nga kuzhina qendrore ku kjo kuzhinë i ka të plotësuara kushtet tekniko higjieniko sanitare dhe e pajisur me pajisje dhe aparatura të reja nga materiali inoks i cili lehtë mirëmbahet”.
Mbajtja e higjienës në Institucionet edukativo – arsimore, ashtu si edhe në subjektet tjera është e rregulluar me ligje ku ndër më kryesoret është LIGJI nr. 02/L-109 PЁR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E SËMUNDJEVE NGJITËSE.
Sipas planit vjetor të kontrolleve zyrtare inspektimi i Institucioneve Edukative Arsimore bëhet dy herë në vit dhe një ri Inspektim aty ku jepen vërejtje dhe urdhëresa për të verifikuar se a janë eliminuar të gjeturat dhe a janë përmbushur urdhëresat e Inspektoratit Sanitar. Xheneta Kosumi /InLajmi