Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit, që fitues dolën Lëvizja Vetëvendosje e që në bisedime e sipër janë me Lidhjen Demokratike të Kosovës por ende nuk kanë arritur të bëjnë një marrëveshje zyrtare.
Duke e parë këtë situatë, kanë bërë thirrje ambasadorë të ndryshëm në Prishtinë që të bëhet sa më shpejt Kuvendi dhe qeveria e re.
Për këtë, sot në selinë e LDK-së ka shkuar edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, i cili ka paralajmëruar se një marrëveshje do të arrihet shumë shpejt.
“Kisha një takim shumë të mirë me kryetarin e LDK-së, z.Mustafa më dha një mundësi shumë të mirë të dëgjoja nga ai se si po shkojnë negociatat rreth koalicionit dhe po shohim të ecim përpara dhe të kemi sukses sa më shpejtë dhe marrëveshja është çdo ditë e më afër” ka thënë Nicholas Abbott, shkruan Indeksonline.
Pjesë e këtij takimi ka qenë edhe nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani, por ajo që vlen të theksohet është fakti se ambasadori britanik ka pasur një takim kokë më kokë me Osmani. Ata janë parë duke biseduar për më shumë se 10 minuta në dalje të zyrave të LDK-së. Vjosa Osmani konfirmoi se edhe ajo ka qenë pjesë e takimit me ambasadorin britanik dhe tha se kanë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend.