Avokati i Popullit E ka dërguar Ligjin për Paga në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese.
Njoftimi i Avokatit të Popullit ka ardhur pas ankesave të shumta lidhur me ligjin. “Avokati i Popullit, në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore, e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën”, ka njoftuar ky institucion.
Tutje Avokati i Popullit ka njoftuar edhe për shkeljet që janë gjetur në këtë ligj. “Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore.
Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij”, bëhet e ditur tutje. Lidhur me këtë ligj tek Avokati i Po[prillit janë dërguar rreth 35 ankesa nga Sindikata dhe grupe ankuesish, shkruan Zëri.
“Për më tepër, Avokati i Popullit i ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”,thuhet tutje atu.