Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt është shprehur e gatshme të negociojë me Vetëvendosjen, nëse bisedimet ndërmjet të fundit dhe LDK-së dështojnë.
“Nisma asnjëherë nuk ka qenë kundër bisedimeve me asnjë parti politike në Kosovë dhe është e hapur për çdo ftesë. T’i trajtojmë të gjitha temat që janë në interes të vendit përfshirë edhe themelimin e institucioneve të reja”, ka thënë Enver Hoti nga Nisma.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të duhej t’i vazhdonin sot bisedimet për formimin e qeverisë. Negociatat tani për tani kanë ngecur, pasi një takim i mundshëm mes tyre u anulua sot në mëngjes.
Krejt kjo duket të ketë ndodh pas disa deklaratave që mbrëmë ka dhënë Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në Vetëvendosje, shkruan Insajderi.
Ai tha se nëse nuk merren vesh me LDK-në do të provojnë edhe dy-tri variante tjera – derisa vendi të shkojë në zgjedhje – sipas tij kjo duhet të jetë fjala e fundit që del nga ata.