Numri i aborteve në vendin tonë ka shënuar rritje në raport me vitin e kaluar. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në dhjetë mujorin e parë të vitit 2019 ka pasur 54 aborte më shumë se në të njëjtën periudhë 2018, kështu bëri të ditur për Indeksonline Jakup Ismaili, drejt i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike.
“Nga janari deri në fund të muajit tetor 2019 janë kryer 165 aborte. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë kryer 111. Mosha mesatare e pacienteve që i nënshtrohen abortit janë 25 deri 28 vjet”.
Drejtori i KOGJ tregon edhe mënyrën se si kryhet një abort në këtë klinikë, ku pacientja duhet t’i nënshtrohet disa procedurave.
“Pacientja lajmërohet në KOGJ me analiza të domosdoshme për abort (hemogrami, koha e gjakderdhjes dhe kuagulimi fibrinogjeni dhe grupi e gjakut me rh. faktorin). Duhet të kalojë 48 orë nga vizita e parë që pacientja e ka kuptuar që është shtatzënë”.
Doktor Ismaili tha se janë rastet e rralla kur një paciente është nen moshës 18 vjeçare, në të kundërtën sipas tij ajo duhet të jetë e shoqëruar nga prindërit ose punëtori social.
“Para intervenimit e nënshkruajnë një dokument që janë të vetëdijshme për intervenimin. Intervenimin e kryejmë me dëshirë pa ndonjë presion si dhe për komplikimet e mundshme gjatë dhe pas intervenimit. Krejt këto kryhen derisa shtatzënia është nen 10 javëshe.
Pas javës së 10-të të gjitha pacientet i nënshtrohen komisionit të shkallës së dytë që përbëhet nga 3 gjinekolog punëtori social, psikologu dhe psikiatri. Aborti kryhet vetëm kur ka indikacion absolut nga nënen dhe fëmiun, qoftë anomali te frytit inkopatibile me jetën, qoftë gjendja e nënës, e cila nuk lejon vazhdimin e shtatzënisë. Në asnjë mënyrë nuk kryhet abort me vet dëshirë pas javës së 10 të shtatzënisë”.
Në anën tjetër, Dr. Driton Prenaj, Gjinekolog – Obsteter, ka treguar për Indeksonline se cilat janë shkaktarët dhe ndërlikimet gjatë kryerjes së një aborti.
“Shkaktarët më të shpeshtë janë: anomalitë kromozomale dhe strukturale të embrionit. Anomalitë e traktit riprodhues të nënës (anomalitë e mitrës, pamjaftueshmëria e qafës së mitrës, miomat e mitrës.
Shkaqet endokrine : Diabeti, sëmundjet e gjëndrës tiroide, hiperprolaktinemia, pamjaftueshmëria e trupit të verdhë. Infeksionet bakteriale, virale, parazitare dhe me bartje seksuale. Sëmundjet kronike të nënës: Hipertensioni, sëmundjet renale, trombocitopenit. Substancat abuzive: Duhani, Alkooli, Droga. Faktorët e mjedisit: Pesticidet, kimikatet, radiacioni, medikamentet, trauma”.
Prenaj thotë se në abort ndikojnë edhe faktorët psikologjik, veçmas stresi. Derisa edhe mosha luan një rol në humbjen e shtatzënisë.
“Nga 12% te moshat më të reja se 20 vjeç, në 50%, te moshat mbi 45 vjeçare. Abortet mund te kenë ndërlikimet të cilat mund të jenë: Dëmtim të mitrës e cila mund të ketë për pasoje sterilitetin. Lëndim të mitrës deri në detyrim për largimin e saj. Dëmtim të zorrëve dhe të fshikëzës urinare. Gjakderdhje të madhe e cila shkakton shok hipovolemik. Infeksion i cili mundet të çoj në seps”.
Sipas gjinekologut, nëse këto ndërlikime nuk trajtohen me kohë në institucione të licensuara për aborte, atëherë mund të shkaktojë edhe vdekjen e gruas.
Ndryshe, një numër i madh i aborteve vazhdojnë të kryhen në klinika private, ku nuk ka shifra, derisa nga 1478 ordinanca të licencuara vitin e kaluar në Kosovë, 81 ambulanca specialistike janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për të ofruar shërbime gjinekologjike. Ndërsa çmimi për një abort është 300 – 400 euro.