Në Prishtinë është duke u mbajtur një ceremoni e vlerësimit të Task Forcës së Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.
Qëllimi i kësaj ceremonie është dekorimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës për punën e kryer gjatë emergjencës së tërmetit në Shqipëri, shkruan InLajmi.
Aty është i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe personalitete tjera të shquara politike.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë i vendit, Ramush Haradinaj ka falënderuar në emër të gjithë popullit të gjitha ato shtete që i dolën në ndihmë Shqipërisë në momentet më të vështira.
“Në ditët më të vështira erdhën në ndihmë fqinjët e parë por edhe shumë miq të tjerë anë e kënd botës. Dhe kjo është një dëshmi që jemi të rreshtuar në anën e duhur. Dëshiroj të falënderoj të gjitha kombet që ndihmuan. Pasi i qajtëm e i varrosëm viktimat, tani nis beteja për të gjallët. Ne jemi unik si kurrë më parë, veri e jug, pushtet e opozitë, Kosova e Shqipëri, për njerëzit në nevojë. Ne kemi reaguar si shtet, që në orët e para të mëngjesit me ushtrinë dhe policinë tonë,zjarrfikës dhe gjithë njësitë e kërkim shpëtimit”, ka thënë Haradinaj.
Ai poshtu ka falënderuar të gjithë shtetasit e Kosovës që hapën dyert e tyre për shqiptarët e prekur nga tërmeti i fuqishëm.
Haradinaj ka thënë se modeli i kësaj Kosove që i doli në ndihmë vëllezërve shqiptarë, i bën krenarë të gjithë ata që jetojnë këtu dhe gjithashtu i plotëson idealet e etërve themeltarë më mirë se kurrë në histori.
Të bashkuar s’ka tërmet që na ligëson”, tha Haradinaj. /InLajmi