As sot në datëlindjen e 75-të të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe kandidat për kryeministër Albin Kurti, nuk ka vizituar varrin e tij
Kjo, nuk i iki nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliut, partia e të cilit është pretendente për të hyrë në koalicion qeverisës me partinë e Kurtit. Veliu, pas vizitës te varri i Rugovës, iu drejtua Kurtit përmes medieve duke thënë se çështja e nderimit është pjesë e kulturës së secilit.
Por, çfarë arsye kishte dhënë Albin Kurti, për mos shkuarjen e tij tek varri i Rugovës.
Në prill të këtij viti Albin Kurti, në një intervistë në emisionin Pressing, pas pyetjeve të shumta që u ngritën se pse ai nuk e viziton varrin e Rugovës, kishte thënë se kjo kërkesë është për ta larguar partinë e tij prej LDK-së.
Ai kishte thënë se nuk e sheh të sinqertë as shkuarjen e disa të tjerëve te varri i Presidentin Rugova.
“Nuk mendoj se besimi nuk duhet të jetë për atë gjest [shkuarjen te varr]. Nëse e shihni se kush sot po shkon te varri i Ibrahim Rugovës, atëherë shihet se sa vlerë ka ajo”, ka thënë lideri i VV-së.
Kur është njeriu aktual ne kemi kritika të mëdha. Sot kur nuk është në mes nesh, nuk mund ta kem qëndrimin e njëjtë si në vitin ’97, por s’mund të kalojë nga një ekstrem deri në një tjetër”, është shprehur Kurti, i pyetur se cili është qëndrimi i tij për Rugovën.
Këto deklarata ndezën edhe më shumë publikun e veçmas anëtarët e LDK-së. Gjatë fushatës parazgjedhore, në emisione televizive, disa nga anëtarët e LDK-së, kërkonin që Kurti ta respektojë Rugovën e për disa të tjerë nuk ishte çështje për tu diskutuar, shkruan Insajderi
Një reagim interesant kishte ardhur nga kandidatja për kryeministre nga LDK Vjosa Osmani. Ajo kishte thënë se Kurti duhet ta ndjejë për ta bërë një vizitë të tillë.
“Kjo është çështje që duhet ta ndiesh. Për mua është me rëndësi që edhe zoti Kurti edhe çdo politikan, ashtu siç e dinë qytetarët, ta dinë politikanët që presidenti Rugova ishte arkitekt i shtetit të pavarur”, kishte thënë Osmani, në Rubikon