Sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar edhe 65 vendvotime, kështu vendvotimet e numëruara deri më tani janë 1034 të tilla duke mbetur edhe 373 të tjera për të përfunduar procesi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se deri më tani janë numëruar 73.49% e vendvotimeve.
“Vetëm deri në orën 16 të ditës së sotme, e enjte, janë rinumëruar 65 vendvotime. Në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara, që nga pasditja e 13 nëntorit dhe deri më tani, është: 1 034 apo 73.49%”, ka thënë Elezi.
Elezi ka thënë se në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe mesatarisht numërohen 750 fletëvotime në ditë, shkruan Gazeta Express.
“Në QNR janë 33 tavolina numërimi dhe gjatë një ndërrimi (08:00-16:00) vetëm njëra prej tyre numëron mesatarisht 750 fletëvotime si dhe kryen të gjitha procedurat tjera që kanë të bëjnë me plotësimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe formularët e rezultateve të kandidatëve për deputetë”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së.