Ndërtesa të larta, të cilat kanë pak ose fare gjelbërim janë duke i zëvendësuar tokat bujqësore nga të cilat do të mund të siguroheshin një pjesë e produkteve ushqimore. Nga viti në vit toka bujqësore në Kosovë humb. Tashmë niveli ka rënë nën kufirin minimal.
Një pjesë e tokës bujqësore ka humbur edhe përmes procesit të privatizimit.
Agjencia Kosovare e Privatizimit, që është mbikëqyrëse e pronave shoqërore, ka përfunduar privatizimin ose dhënien në shfrytëzim të një pjese të pronave që para luftës kanë qenë toka bujqësore. Kombinatet bujqësore të paraluftës janë kthyer në zona me ndërtime industriale ose ndërtesa të larta banimi.
Toka bujqësore po humb para syve të institucioneve. Institucionet qendrore dhe ato lokale, që janë përgjegjëse për ruajtjen e këtyre tokave për këto vite, janë treguar të verbra përballë degradimit të kësaj toke. Ani pse ka legjislacion në këtë fushë, këto institucione, sipas njohësve të këtij lëmi, nuk kanë marrë masa për ruajtjen e kësaj prone. Shkatërrimi permanent e ridestinimi janë problemet kryesore që Kosova ka dështuar t’i menaxhojë në raport me tokat bujqësore.
“Pak” tokë që ka mbetur është e pamjaftueshme për t’i siguruar kulturat bujqësore që mund të rriten në Kosovë.
Edhe ato produkte që buqit kanë mundësi t’i kultivojnë në Kosovë shpesh nuk kanë treg të favorshëm në Kosovë e as mundësi që t’i shesin jashtë vendit.
Përfaqësuesit e bujqve thonë se institucionet nuk kanë marrë parasysh zërin e tyre. Bujqit, sipas përfaqësuesve, janë “shantazhuar” nga institucionet në emër të subvencioneve.
Degradimi shumëdimensional
Paslufta ka ndryshuar gjendjen e tokave bujqësore.
Në vitet ‘90 në Kosovë janë llogaritur 577 mijë hektarë tokë bujqësore. 20 vjet pas luftës, 164 mijë hektarë llogariten se ose janë shkatërruar ose ridestinuar, shkruan Koha.net.
Sipas deklaratave publike të Ministrisë së Bujqësisë, 500-1000 hektarë të tokës bujqësore brenda vitit humb.