Klinika e Gastroeneterologjisë në QKUK është furnizuar me Videogastroskop dhe Videokolonoskop të ri, me të cilat mjekët do të mund të trajtojnë pacientët me metoda bashkëkohore.
Pajisjet janë të vendosura në një shtyllë dhe mundësojnë incizimin e traktit të sipërm (ezofagut, lukthit dhe zorrës dymbëdhjetëgishtore deri në një segment të caktuar), shkruan InLajmi.
Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, në një postim në Facebook .
Postimi i tij i plotë:
“Furnizuam me Videogastroskop dhe Videokolonoskop të ri Klinikën e Gastroenterologjisë, e cila për vjet të tëra ishte ballafaquar me mungesë të aparaturës mjekësore.

Përmes kësaj aparature ju mundësuam mjekëve që të trajtojnë pacientët me metoda bashkëkohore dhe pacientëve të marrin shërbime cilësore në këtë klinikë.
Ardhja e aparaturës së re mundësoi funksionalizimin e dy kabineteve shtesë dhe pritjet e pacientëve për trajtim do të shkurtohen.
Do ta vazhdojmë planin tonë për furnizim me aparatura të reja mjekësore edhe për klinikat e tjera, në mënyrë që të rrisim numrin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore”, shkroi Sejdiu./InLajmi