As në qeverisjen e re në Kosovë, Lista Serbe nuk do të ndryshojë sjellje, pasi që ky subjekt ka paralajmëruar që do të ketë konsultim paraprak me Beogradin lidhur me vendimin se a do të jenë apo jo pjesë e institucioneve të Kosovës në mandatin e ardhshëm.
Kështu ka njoftuar anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Sllavko Simiq i cili ka thënë për mediat serbe se subjekti të cilit ai bën pjesë i takojnë pozicione të caktuara në qeveri.
“Ata në Prishtinë duhet të dinë nëse dëshirojnë të formojnë Kuvendin e Kosovës se është e nevojshme që Lista Serbe të emërojë një anëtar të kryesisë, domethënë të emërojë dhe votojë një zëvendëskryetar të kuvendit, pasi kërkohet pëlqimi i kryetarit të Listës Serbe për të përcaktuar qeverinë e ardhshme”, tha ai për “Tv Prva”.
E të enjten, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se Lista Serbe duhet të insistojë që të jetë pjesë e Qeverisë.
Sidoqoftë, me këtë nuk pajtohet kryetari i partisë fituese të këtyre zgjedhjeve, Albin Kurti, i cili Listën Serbe në mandatin e ardhshëm e sheh si opozitë.