Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nga momenti i shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ka pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë. Më së shumti ankesa në këtë institucion ka paraqitur partia e Sllobodan Petroviqit, Partia Liberale Serbe – SLS, me 42 të tilla.
Gjithsej 23 ankesa janë paraqitur edhe nga LDK-ja, derisa për rezultat është ankuar edhe Vetëvendosje, e cila ka paraqitur 5 ankesa. PDK-ja, në adresë të PZAP-së, ka bërë 12 ankesa, NISMA-AKR-PD 6 si dhe parti të tjera minoritare.
Nga kandidatët për deputetë të cilët janë ankuar në PZAP, janë Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Mufera Shinik nga KDTP-ja.
Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatë Supreme, brenda 24 orëve.
Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatë Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet.
Por, ankesat eventuale në Kushtetuese nuk do ta pengojnë certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve të reja.njofton koha.net
Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat eventuale nga subjektet politike.