Alvin Berisha mbërrin në Itali. 11-vjeçari me origjinë shqiptare u transferua me një fluturim të planifikuar nga Alitalia (AZ 827).
Ai mbërriti pas orës 07:00 në aeroportin e Romës Fiumicino nga Beiruti ku u prit nga babai dhe dy motrat.
Në moshën 6 vjeçare, në dhjetor të 2014, Alvin Berisha fluturoi drejt Sirisë me të ëmën që donte ti bashkohej ISIS.
Vogëlushi shqiptar, nëna e të cilit do të vdiste në një shpërthim së bashku me bashkëshortin e ri dhe djalin që kishin së bashku, do të përfundonte më pas në kampin e refugjatëve Al Hol, në veri-lindje të Sirisë, atje dhe ku u gjet.
U desh një operacion i mirëorganizuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare si dhe organizatat humanitare për të bërë të mundur nxjerrjen e tij nga kampi dhe bashkimin e Alvinit me familjen e tij, transmeton Insajderi.
Tashmë sfidë për shtetin shqiptar mbetet kthimi i rreth 28 fëmijëve të tjerë shqiptarë që gjenden në kamp.