Ish Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tani më deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës që vjen nga PDK përmes një postimi në rrjetin social ka falënderuar të gjithë votuesit për mbështetjen dhe besimin ndaj tij, po ashtu premton se si deputet do të punoj me angazhimin më të madh që t’i shërbej drejtësisë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Jam e do të jem zë i pa lëkundur për rend dhe ligj, për shtet me dinjitet dhe për të drejtat e gjithsecilit prej jush” ka thënë Tahiri.
Postimi i plotë i Abelard Tahirit:
“Për dy vite si Ministër i Drejtësisë, pa reshtur dhe me përkushtimin më të madh, jam përpjekur t’i shërbej drejtësisë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim. Pavarësisht ciklit politik dhe ndryshimeve, tani e tutje do ta vazhdoj këtë përkushtim në Kuvendin e Republikës tonë. Ju falënderoj nga zemra të gjithëve, që me votën tuaj i keni dhënë besim e fuqi kauzës për të cilën qëndroj në politikë. Si deputet, bashkërisht me ju, na pret punë dhe angazhim edhe më i madh për të përmbushur pritjet legjitime për shtet të së drejtës. Jam e do të jem zë i pa lëkundur për rend dhe ligj, për shtet me dinjitet dhe për të drejtat e gjithsecilit prej jush”, ka shkruar, Abelard Tahiri. /InLajmi