Ka përfunduar takimi mes grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së për harmonizimin e programit qeverisës.
Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka folur pas takimit para mediave, teksa ka treguar se në takim është diskutuar edhe për Ushtrinë e Kosovës.
“Ne patëm një takim për të harmonizuar temat e koalicionit qeverisës. Biseduam për Ushtrinë e Kosovës dhe ngritjen e kapaciteteve të saj, sundimin e ligjit, gjykatat dhe prokuroritë, dekriminalizimin dhe krijimin e një zyre të veçantë të hetimit, pra për këtë zyrë nuk kemi ndonjë qëndrim ende të harmonizuar. Ne diskutuam edhe për ligjin për krimet e luftës”, tha Gashi.
Ai foli edhe për dakordimin e të dy partive për luftën kundër korrupsionit, ndërsa tha se u bisedua edhe për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Zyra shtetërore e hetimit do të trajtojë luftën kundër krimit të organizuar. Zyra shtetërore e hetimit ka nevojë për përcaktime nëse cenon sistemin kushtetues të Kosovë. Aty u diskutua edhe për ligjin për konfiskimin e pasurisë. Para se të marrim një vendim final për këtë ligj duhet të përfshihet edhe Komisioni i Venecias. Takimi i rradhës do të jetë të hënën, me temë kultura dhe rinia”, tha Gashi
Nga gazetarët, Gashi u pyet edhe për qëndrimet e dy subjekteve lidhur me Gjykatën Speciale, mandati i së cilës mund të mos vazhdojë vitin e ardhshëm.
Ai tha se dy subjektet pajtohen parimisht që këto dhoma të specializuara duhet të vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës, transmeton Blic.
“Dhomat e Specializuar funksionojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës, dhe për ne këto dhoma duhet të ekzistojnë dhe ta kryejnë punën e vetë, dhe besoj që e njëjta vlen edhe për Vetëvendosjen”, tha ai.