Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës shpalli konkurs për pranimin e kadetëve të FSK-së për studime në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake WEST POINT të SHBA-së. Studimet mbahen në gjuhën angleze dhe zgjasin katër vjet. Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes, Ibrahim Shala, konkursin e vlerësoi si një rast i mirë për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kandidatët për studime do të përzgjidhen nga Ministria e Mbrojtjes. Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes, Ibrahim Shala, për Radio Kosovën tha se nuk bëhet fjalë për pilotë, por për shkollim në Akademinë e Forcave Ajrore. Sipas tij, në mesin e kandidatëve që konkurrojnë , duhet të zgjidhen më të mirët.
“Është fjala për studimet në Forcat Ajrore, që pas tre vjetësh do të orientohen në programe të veçanta”, tha Shala.
Sipas Shalës, në Akademinë Ajrore të SHBA-së do të konkurrojnë gjashtë kandidatë dhe gjashtë të tjerë për në Akademinë West Point. Shala theksoi se konkursi parasheh kritere të rrepta.
“Konkursi në pika të përgjithshme parasheh kushtet e moshës ,shkollimit ,dokumentacioni i aplikimit ,dëshmimi i shkathtësive dhe testet që duhet t’i kalojnë”, tha ai,shkruan koha.net
Kadetët pas përfundimit të shkollimit do të emërohen oficerë në FSK, në kohëzgjatje minimale të obligueshme, prej gjashtë vitesh. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës pa dallim kombi, race, dhe gjinie, të moshës 18-23 vjeç. Konkursi dhe formularët për aplikim janë në dispozicion në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai do të jetë i hapur deri më 04 nëntor 2019. Ndryshe FSK-ja tashmë ka dy kadetë në West Point, e ata janë Arilena Shala dhe Ylli Dalladaku.