Visar Ymeri nga PSD-ja ka thënë se mënyra se si kjo parti ka bërë politikë si grup opozitar duhet të jetë shembull për partitë e tjera si të sillen karshi proceseve të rëndësishme për Kosovën.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të flitet për politkbërjen të cilën e ka bërë PSD-ja si grup opozitar parlamentar dhe bashkëpunimin e herëpashershëm dhe për çështje të caktuar me qeverinë e Kosovës që ka kulmuar me themelimin e Delegacionit Shtetëror për Dialogun”.
“Këto paraqesin një perspektivë ndryshe në atë se si do të duhej të silleshim politikisht karshi çështjeve që kanë rëndësi jetike për vendin dhe që si procese bartin rrezik të madh për vendin”.
Ymeri në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës, duke folur për dialogun me Serbinë, ka treguar se si e ka parë ai qasjen e partive të tjera politike karshi këtij procesi.
“Karshi dialogut në këtë legjislaturë i kemi pasur dy lloj politikbërjesh. E para ka qenë mendim pa veprim dhe e dyta veprim pa mendim”.
“Mendim pa veprim është pak a shumë mënyra se si janë sjellë Vetëvendosja dhe LDK-ja të cilët kanë folur, por nuk kanë ndërmarrë asgjë që në politikë është përsiatje shterpë. Në anën tjetër atë që paraqet PDK-ja si mënyrë e qeverisjes është veprim pa mendim”.
“Bashkëpunimi ynë me kryeministrin Ramush Haradinaj në themelimin e Delegacionit Shtetëror dhe politikat të cilat i kemi mbështetur i ka bërë bashkë të dyja – jo vetëm të flasim se çfarë duhet të bëhet në Kosovë, por edhe të veprojmë sipas asaj që besojmë se duhet të bëhet në Kosovë”.
“Koalicioni ynë është pikërisht në këtë vijë të mendimit politik. Çfarë ka qenë e rëndëishsme për neve në nënshkrimin e koalicionit? Ka qenë e rëndësishme që ta bëjmë një forcë domethënëse elektorale, nesër qeveritare, në mënyrë që këto procese t’i bëjmë realitet”.
Ai ka treguar edhe se si e sheh ‘bashkëjetesën’ politike me AAK-në – më të lehtë apo më të vështirë se sa me Vetëvendosjen?
“Janë dy situata jashtëzakonisht të ndryshme. Në Vetëvendosje kemi qenë anëtar dhe kemi pasë pajtim sa i përket konceptit politik, vlerave politika, mënyrës se si duhet të ndërtohet organizata për së brendshme në raport me demokracinë dhe barazinë e anëtarëve të saj. Ne kemi qëndruar në Vetëvendosje derisa e kemi pasë këtë pajtim, por kur kjo është prishur qëndrimi në Vetëvendosje ka qenë i pamundur”.
“Me AAK-në kemi koalicion që bazohet në ato pika që jemi dakorduar, pra nuk është shkrirje, nuk po bëhemi ne AAK e as AAK-ja PSD. Kjo është tjetër lloj bashkëjetese politike. Natyrisht që nëse e shohim se njëra prej palëve nuk po i qëndron pikave për të cilat jemi dakorduar, atëherë nuk mund të ketë bashkëjetesë”.
“Mendoj që ne i kemi dhënë tjetër lloj kuptimi bashkëpunimit në politikë. Bashkëpunimi dhe kompromisi në politikë është domosdo, por ne i kemi dhënë tjetër kuptim – nuk është bashkëpunim taktik e interesit personal, por është bashkëpunim strategjik për interesin e vendit” /InLajmi/