Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka thënë se Vetëvendosja është më e korruptuara prej partive.
Ai ka thënë se si u bë që bash tani lideri i VV-së, Albin Kurti, të njohë shtetin e Kosovës.
“Unë nuk jam analist. Unë e flas atë që e mendoj që është në interes të vendit tim. Dëgjova se [Kurti] e ka njohur shtetin e Kosovës së fundmi. Pse bash tash? Kur e ka respektuar himnin e Kosovës? Ata e kanë vetëm të flasim për tjerët, por s’bëjnë asgjë. S’i largojnë të korruptuarit, janë tre drejtorë në Prizren të korruptuar dhe s’i largojnë. Lëvizja Vetëvendosje e ka më së shumti korrupsionin e instaluar. Është pak shqetësuese kur i dëgjon të rinjtë që kanë kaluar nga VV në PDK. Nuk veprohet sot si sekt”, theksoi Veseli në Rubikon të KTV-së.
Në ndërkohë, ka thënë se Kurti është “më i zi se Haradinaj”.
“Albini është edhe më zi. Qëndrimi i tij dihet botërisht. E konsideron Amerikën imperialiste. Nëse ka dikush që e bën me çivita ambasadorin, dihet kush është. S’po flas për askënd. Me të gjithë për interesin e Kosovës mund të jemi bashkë”, u shpreh ai.
Duke folur për kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, Veseli tha se ajo është grua e zgjuar, mirëpo tha se s’e ka pavarësinë e duhur për të qeverisur me vendin.
“Vjosa është grua e zgjuar. Nuk besoj se në rrethanat e tashme e ka pavarësinë e duhur për të qeverisur Kosovën. Ka shumë gajle brenda partisë. Më herët s’e ka votuar kryetarin e vet. Unë do t’i respektoj të gjithë”, ka thënë Veseli.