Sot, me 23 shtator 2019, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm z. Rashit Qalaj, i cili ishte i shoqëruar nga stafi menaxherial, u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare -2019”.
Në këtë takim morën pjesë zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale, komandantët e stacioneve policore dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Drejtori Qalaj gjatë këtij takimi potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.
Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, po ashtu të njoftohen të gjithë zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim të përmbushjes së misionit dhe vizionit të PK-së.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.