Specialistët stomatologë të papunë edhe sot kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë. Ata nga ora 10:00 kanë vendosur mantelët e tyre të bardhë në dyert e këtij institucioni.
Për të dhjetën herë ata po kërkojnë plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ, e cila ua mundëson punësimin në kujdesin parësor, transmeton Indeksoline.
Mirjeta Berisha, përfaqësuese e specialistëve stomatologë të papunë, tha se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili u kishte premtuar që do i priste sot në takim, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ne jemi shumë të frustruar sepse të premten na është premtuar se sot do të takohemi dhe do të diskutojmë se çfarë do të bëhet me finalizimin rreth udhëzimit administrativ, mirëpo kjo mos përgjegjësi është shumë për t’u lënduar dhe për t’u prekur, pse kjo mos përgjegjësi ndaj kuadrit personel shëndetësor. Përderisa e udhëheq një ministri, ministri duhet të jep përgjegjësi, të jetë bile një korrektësi ndaj nesh”, tha ajo.
Berisha tha se dëshirojnë takim vetëm me ministrin Ismaili, dhe se nuk u intereson pse është kohë fushate.
“Neve nuk na interesojnë hiç fushatat, neve na interesojnë premtimet qe janë bërë dhe realizimet e tyre që duhet bërë dhe nevojat, është e domosdoshme që duhet bërë zgjidhje. Ne kemi të vetëm derë ku mund të drejtohemi, është Ministria e Shëndetësisë që duhet bërë zgjidhje…atëherë le të deklarohen le të thonë se ne nuk e bëjmë edhe ne nuk vijmë më këtu nuk kemi se çfarë të presim”, tha ajo.
Nëse të njëjtit nuk reflektojnë ndaj kërkesave të tyre, Berisha tha se do i ashpërsojnë protestat.
“Unë e kisha lut Ismailin qe te ketë korrektësi ndaj nesh, dhe të takohemi të diskutojmë çfarë tutje, përndryshe ne do të jemi çdo ditë këtu, dhe nuk marrim përgjegjësi se çfarë do të bëjmë”, tha mes tjerash ajo.
Grupi protestues ka provuar të hyjë brenda këtij institucioni, për t’u takuar me personat përgjegjës të Ministrisë së Shëndetësisë, por që të njëjtit nuk janë lejuar të hyjnë brenda.