Haxhi Avdyli, kandidati për deputet nga radhët e LDK-së nga komuna e Prizrenit ka thënë se nuk është në dijeni për profilin që ekziston nën emrin e “LDK nëndega Kabash”, e as për lajmin se Banka Europiane do të ofrojë 2 miliardë euro ndihmë për Kosovën, nëse votohet për kryeministre Vjosa Osmani.
I pyetur se a do të ndikojnë negativisht këto lajme të rrejshme tek partia, Avdyli ka thënë se nuk mund të flas për diçka që nuk ka informacion.
“Nuk jam në ngjarje as për postimin, as për lajmin për bankën. Nuk kam komente për këto, nuk jam në ngjarje dhe nuk kam informata, dhe për diçka që skam informata nuk mund të komentojë”, ka deklaruar Avdyli.
Nëndega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në fshatin Kabash të Prizrenit ka përhapur lajmin se Banka Europiane për zhvillim do të ofrojë 2 miliard euro ndihmë për Kosovën, nëse votohet për kryeministre Vjosa Osmani.
Ky lajm i rrejshëm është shpërndarë, nga një llogari e hapur në Facebook nën emrin “Ldk Nëndega Kabash”, ku në fotografi të profilit shihet kandidatja për kryeministre nga radhës e kësaj partie, Vjosa Osmani dhe Doris Pack.
“Banka Europiane për zhvillim ofron 2 miliard euro ndihmë Kosovës pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit kryeministre”, thuhet në postimin e këtij profili.
Në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit militantët e partive politike po e bëjnë të ‘pamundurën’ të duket si e mundur vetëm që të fitojnë vota, për të marrë timonin e qeverisë, madje duke shpërndarë edhe lajme të rrejshme.