Open Data Kosovo prezantoi analizën e “Hapjes Parlamentare në Kosovë dhe në Rajon” duke analizuar transparencën, hapjen dhe llogaridhënien e fuqisë legjislative në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Analiza bazohet në Indeksin Vjetor të Hapjes Rajonale ku të gjitha institucionet publike janë pjesë e matjes. 117 indikatorë të ndarë në katër kategori matën hapjen institucionale. Këto katër kategori janë: Qasja, Ndërgjegjësimi, Integriteti dhe Transparenca. Rezultati i vitit 2018 mbi hapjen parlamentare rendit Malin e Zi në vendin e parë me rezultatin 79%. Kosova zë vendin e dytë me rezultatin 73%, dhe Shqipëria renditet e treta me rezultatin 71% në Ballkanin Perëndimor.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se hapja në fushën e Transparencës u rrit në nivelin e të gjithë rajonit, me përjashtim të Parlamentit të Shqipërisë me 9% rënie nga viti 2017. Qasja për qytetarët, megjithatë, nuk ka pasur ndryshime, duke shënuar mesataren rajonale të 61% që nga viti 2016.
Kuvendi i Kosovës shënoi 80% në Ndërgjegjësimin duke siguruar vendin e dytë; 82% mbi Integritetin, duke ndarë vendin e dytë me Shqipërinë; 78% e Transparencës, e tejkaluar vetëm nga Mali i Zi; dhe 55% në Qasje.
Fjalimi hyrës u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit me shoqëri civile, dhe rritjes së komunikimit me qytetarë përmes të dhënave të hapura dhe krijimit të strukturave të nevojshme për të përkrahur këtë qasje.
Ndërsa, Blerta Thaçi, Drejtoreshë në Open Data Kosovo, diskutoi për rëndësinë e të dhënave të hapura në institucionet publike në rrugëtimin e hapjes së mëtutjeshme institucionale.
Më pas, një prezantim i Strategjisë për Komunikim dhe Informim u mbajt nga Musli Kranisiqi – Drejtori i Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me Publikun Kuvendi i Kosovës.
Pas kësaj, koordinatorja e projektit “ActionSEE”, Blerina Ramaj, prezantoi rezultatet e analizës në lidhje me hapjen dhe qasjen e Parlamentit të Kosovës në krahasim me rajonin, e cila theksoi rëndësinë e perdorimit të teknologjisë në publikim të të dhënave dhe poashtu të promovojnë mekanizma të cilët rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve që më pas do të bënin institucionet më të hapura dhe transparente.
Kjo analizë është e treta në llojin e saj dhe pjesë e projektit “Transparenca, Teknologjia dhe Hapja Institucionale në Rajonin e Evropës Juglindore” – ActionSEE, i implementuar në Ballkanin Perëndimor dhe financuar nga Bashkimi Evropian./InLajmi/