Liderët e grupit G-7 po mbyllin sot takimin e nivelit të lartë me diskutime për klimën dhe transformimin digjital, megjithëse këto çështje ka gjasa të mbeten në hije nga një konferencë për shtyp mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij francez, Emmanuel Macron.
Të hënën, presidenti Trump shprehu optimizëm para gazetarëve për marrëveshje të mundshme tregtare me Kinën dhe Japoninë, si edhe për perspektivën e një marrëveshjeje me Iranin.
Këto komente ai i bëri ndërsa ishte ulur pranë presidentit egjiptian Abdel Fattah El-Sissi, gjatë të cilit mori pyetje për rreth 10 minuta.
Presidenti Trump hodhi poshtë zërat për tensione të mundshme mes tij dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pasi udhëheqësi francez u takua të dielën me ministrin e jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.
“E dija që po vinte dhe e respektoj faktin që erdhi”, tha zoti Trump që shtoi se i kishte dhënë zotit Macron miratimin e tij.
Presidenti Trump vazhdon ti rezistojë trysnisë së homologëve të tij të grupit G-7 që të hyjë përsëri në paktin bërthamor me Iranin. Pas tërheqjes nga ajo marrëveshje, ai vendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit.
Udhëheqësit e G-7-ës kanë shprehur shqetësime për shkallëzimin e luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Macron tha se shpreson që udhëheqësit të tërhiqen nga një luftë tregtare.
Në komentet e tij të hënën, Trump, u shfaq optimist për arritjen e një marrëveshjeje me Kinën.
Ai tha se Kina kishte kontaktuar zyrtarët amerikanë të tregtisë, duke u bërë thirrje të ktheheshin në tryezën e negociatave.
“Do të fillojmë bisedime shumë serioze. Të shohim se si do të shkojë”, tha Trump.