Qeveria e Kosovës ka votuar pro për hapjen e disa pikave të tjera të kufijve tokësorë.
Qeveria e Kosovës ka votuar që më 22 qershor të hapen edhe pikat kufitare në Qafë Prush, Qafë Morinë, Muçibabë e Mutivodë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë prezantimit të tij, ka kërkuar që ky vendim të hyjë në fuqi menjëherë dhe i cili do të fillojë të zbatohet më 22 qershor.
Sipas Zemajt, kjo kërkesë për ndryshim është bërë për shkak të fluksit të qytetarëve.
“Kërkesa e MSH-së konsiston të plotësohet të ndryshohet pika e pestë e qeverisë në të cilën ne paraprakisht kishim përcaktuar pikat kufitare që u hapën më parë dhe është parë e domosdoshme që për shkak të fluksit të madh i qytetarëve që të hapen edhe pikat e tjera, Qafë Prush, Qafë Morinë, Muçibabë e Mutivodë. MSH-ja parasheh që gradualisht të hapen edhe pikate tjera kufitare. Ajo çka kisha dashur që ju kisha lutur që të jetë e përcaktuar që ky vendim të hyjë në fuqi më 22 qershor të këtij viti”, deklaroi Zemaj.
Zemaj po ashtu kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të zbatojnë të gjitha rekomandimet e MSH-së dhe IKSHPK-së për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit.
Ai po ashtu theksoi se gjatë ditës së sotme do të publikohet edhe manuale për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit, manual ky i cili sipas Zemajt do të zbatohet në përpikëri nga të gjitha institucionet, qofshin shtetërore apo ato private.
Po ashtu Zemaj kërkoi nga kryeministri Hoti që mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës të mbahen në një sallë tjetër e cila edhe mundëson që të ketë distancë të mjaftueshme, përcjell lajmi.net.
Theksojmë se deri më tani kufijtë tokësorë që kanë qenë të hapur janë: Dheu i Bardhë, Vërmicë, Merdare dhe Jarinjë.