Në Maqedoninë e veriut filluan të rrjedhin afatet për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 korrik, pasi gjendja e jashtëzakonshme në vend mbaroi mbrëmë në mesnatë. Sipas dy dekreteve qeveritare me fuqi ligjore, lidhur me procesin zgjedhor, KSHZ-ja ka një ditë kohë t’i rishikojë afatet, ndërsa nga nesër, respektivisht 20 ditë para zgjedhjeve, do të duhet të fillojë edhe fushata zgjedhore.
Siç thuhet në dekretin qeveritar të 12 qershorit, Ministria e Brendshme në afat prej një dite duhet ta dorëzojë listën e qytetarëve që kanë dorëzuar kërkesë për lëshimin e letërnjoftimit ose pasaportës së re në çfarëdo baze dhe të cilët i kanë ngritur të njëjtat nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e hyrjes në fuqi të dekretit. Gjithashtu, MPB pranë KSHZ-së duhet të dorëzojë listë të personave që do të mbushin 18 vjet deri në ditën e zgjedhjeve respektivisht dita e 22 nga ndërprerja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Këto të dhëna, Komisioni duhet t’i vendos në listën zgjedhore dhe të vazhdojë me aktivitete për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, siç parashihej me dekretin e 21 marsit, me të cilin u ndërprenë aktivitetet zgjedhore, përcjell AlsatM
Në seancën e së premtes, KSHZ paralajmëroi se do t’i respektojë dekretet dhe Kodin Zgjedhor, dhe siç deklaroi numri një i Komisionit, Derkovski, ata tashmë kanë dhënë udhëzime deri te njësitë rajonale për dislokimin e vendeve zgjedhore në objekte me të mëdha dhe dritare të hapura, duke i ndjekur rekomandimet dhe protokollet e autoriteteve shëndetësore.