Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, për Ditën e Çlirimit tha se kujtojmë tërë sakrificën dhe angazhimin shekullor për çlirim, të brezave të shumtë duke u kurorëzuar me Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin që bota nuk e kishte parë më herët, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari, përcjell InLajmi.
“Me nderim të thellë kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë. Kujtojmë familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, kontribuesit e të gjitha gjeneratave për çlirim. Kujtojmë me nderim të thellë edhe kontributin e vendeve pjesëtare dhe aleate të NATO-s” shkroi Lladrovci në facebook.
I pari i Drenasit tha se Ditën e çlirimit nuk mund ta festojmë si vitet tjera, por mendjet dhe zemrat tona janë pranë çdo qytetari dhe kontribuesi të lirisë tonë./InLajmi/




















