Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj fotove të shfaqura një ditë më parë në një gazetë të afërt me opozitën, në të cilat shihet djali i tij, Danilo, në një lokal, teksa ndjek një ndeshje futbolli në shoqërinë e një miku që sipas gazetës, është i lidhur me krimin.
Vuçiq ka thënë se bëhet fjalë për një fushatë kundër tij, që ka si qëllim ta vendosë në një pozicion të vështirë pak ditë para zgjedhjeve të 21 qershorit.
Shoqëruesi i të birit, që sipas gazetës është një kriminel, nuk ka pasur asnjëherë probleme dhe nuk është dënuar asnjëherë, thotë Vuçiq në një intervistë të dhënë televizionit privat Prva.
shtë një tifoz i partizanit, ka shtuar ai, dhe po shikonin bashkë në një lokal derbin me yllin e kuq, gjysmëfinalen e kupës të luajtur mbrëmjen e të mërkurës. Nuk po bënin asgjë tjetër.
Edhe më herët djali i Vuçiqit ka shkaktuar polemika. Në 2018, ai u shfaq në disa foto në shoqërinë e disa personave të njohur si kriminelë dhe vrasës të dënuar, ndërsa ndiqte ndeshjet e kampionatit botëror, transmeton Reporteri.
Vuçiq shpreson që partia e tij të marrë shumicën e votave më 21 qershor, ndërkohë që zgjedhjet presidenciale në serbi janë vitin e ardhshëm. Opozita dhe kritikët e kanë akuzuar shpesh atë dhe partinë e tij në pushtet për autokraci, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, manipulime zgjedhore, korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar.