Lajçaku javën tjetër në Prishtinë, nuk ka konfirmim për takim me Thaçin.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burime në Bruksel e Prishtinë.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në përpjekje për të përgatitur rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Lajçaku, siç ka mësuar REL-i, do të udhëtojë për në Kosovë përmes Shqipërisë, dhe planifikon qëndrim disaditor në Prishtinë.
Edhe pse nga kabineti i tij deklarojnë se “në ditët në vijim” do ta vizitojë rajonin, dhe se do të takohet me të gjithë aktorët relevantë, megjithatë mbetet e paqartë nëse Lajçaku do të takohet edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
“Në këto momente nuk jemi në gjendje të komentojmë asnjë takim”, i kanë thënë REL-it në një përgjigje të shkurtër nga kabineti i Lajçakut, në pyetjen e tyre nëse zyrtari i BE-së do të bisedojë edhe me Thaçin.
Presidenca e Kosovës nuk e ka konfirmuar nëse do të takojë Thaçi Lajçakun gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë javën e ardhshme. Deri më tani, në Presidencë s’ka pasur vullnet për krijim të kontakteve me Lajçakun dhe, siç ka mësuar REL-i, kjo ende s’ka ndryshuar.