Valon Prestreshi, Drejtor i Autoritetit kosovar të konkurencës, ka thënë se institucioni që ai udhëheq nuk do t’i lejojë sektorit të gastronomisë që të ngritë çmimet e produkteve, pas goditjes që kanë pësuar gjatë pandemisë, përcjell InLajmi.
Në një postim në rrjetin e tij social facebook, Prestreshi ka thënë se këto biznese duhet të zhvillohen përmes garës fer e duke konkurruar me njëri-tjetrin me cilësi.
“Pajtohem plotësisht me Odën Amerikane në Kosovë, se gastronomia është tregu më i godituri nga pandemia. Nga goditja e këtij tregu, është goditur një varg i gjatë i hallkave zinxhir që ndërlidhen me tregun e gastronomisë. Dhe ndihma e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij tregu duhet të jetë i dukshëm. Por, në asnjë rast, nuk do t’u lejohet këtyre gastronomeve që në mënyrë të bashkërenduar të bëjnë kartele klasike duke ngritur çmimet e produkteve të tyre. Autoriteti është i pakompromis! Biznesi të zhvillohet me garë fer, duke i konkurruar njëri-tjetrit me cilësi, çmime dhe produkte inovative”, ka shkruar ai.
Kafenetë e restorantet në Kosovë kanë qëndruar të mbyllura për më shumë se dy muaj për shkak të shpërthimit të pandemisë në vend. Ato u hapën plotësisht në fillim të qershorit, pak pasi u ishte lejuar që të funksiononin vetëm përmes shërbimit ‘merre me vete’./InLajmi/