Për Nexhmije Pagarushën tonë të mirënjohur, grupi i të rinjve intelektualë, dashamirë të këngëtares: Kushtrim Koliqi-botues, Shaban Maxharraj e Elvira Berisha-gazetarë, me redaktor e lektor anëtari korrespodent dr. Bardh Rugova, si dhe ekipi i projektit të Monografisë: Kulmita Kajtazi, Rinë Abrashi, Adelina Haxhani, Inesa Tahiri e disenjatori Besart Sllamniku, të gjithë mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sport e Republikës së Kosovës, e realizuan Monografinë për këngëtaren tonë përmasash ndërkombëtare.
Ekipi i bëri vizitë famëmadhes tonë, me qëllim që t’i hartohet një monografi mbi jetën e saj prej këngëtareje artiste. Sado që zonja e jonë, fillimisht nuk po shprehte interesim a kënaqësi të veçantë, megjithatë, pas fjalëve tejmiqësore e dashamirëse të ekipit, që ngulmonte për bërjen e Monografisë për Nexhën tonë, kishte filluar dalëngadalë e kishte vazhduar me bisedime mbi nismën fisnike të Grupit të të rinjve intelektualë, shkruan/koha ditore/.
Kështu asaj, dalëngadalë e spontanisht po i çelej disponimi rreth rrugëtimit të saj prej këngëtareje të prezantuar, përpos në Kosovë edhe në qendra të ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri dhe gjithandej vendeve e qendrave ndërkombëtare në Evropë e, madje, edhe jashtë saj: në Austri, Itali, Gjermani, Francë, Hungari, Turqi, Izrael e ShBA, me rolin prej ambasadoreje të këngës së bukur shqipe përplot ritëm e vitalitet, duke shprehur, njëherësh edhe kulturën shqiptare në domethënien e gjerë edhe nga ky krah i kombit tonë, të ndarë me padëshirë, për të mos thënë me dhunë. Kështu, s’është për t’u habitur, marrë parasysh se Nexhmija, bijë e babait Vesel, me medresenë të kryer në Tiranë, dashamir i arsimit dhe mësues, ishte dhe shpërndarës i librave andej-këndej, madje dhe i përndjekur e i burgosur.