Në Ditën ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kujton fëmijët e vrarë nga forcat serbe, ku thotë se thirrja e 1133 fëmijëve duhet të kumbojë çdo ditë në veshët tanë, që shtetin ta bëjmë strehë të sigurt dhe vend në të cilin fëmijët e Kosovës do ta ndërtojmë të ardhmen e tyre, shkruan InLajmi.
Osmani në rrejtin social facebook ka thënë se Gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1133 fëmijëve, disa prej tyre foshnje disa-javësh, iu pre jeta ende pa e nisur mirë dhe 109 fëmijë sot e kësaj dite rezultojnë ende të zhdukur.
“Ne nuk mund ta shfletojmë faqen e së nesërmes nëse nuk sigurohemi se e kemi lexuar vëmendshëm dhe e kemi mbajtur në mend mësimin e së djeshmes. Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për njëmijë e njëqind e tridhjetë e tre fëmijët që i morën nga ne”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Thirrje për drejtësi në ditën ndërkombëtare të fëmijëve
Gjatë luftës së fundit, 1133 fëmijëve, disa prej tyre foshnje disajavëshe, iu pre jeta ende pa e nisur mirë. ‘Faji’ i vetëm i tyre qe ëndrra e tyre, bota e tyre e çiltër dhe shpresa për ta jetuar jetën në një botë të lirë. E, ata kishin lindur në një vend në të cilin liria ishte e kërcënuar dhe përkatësia etnike e familjare trajtohej si argument i mjaftueshëm për t’i ndarë ata nga jeta. 109 fëmijë sot e kësaj dite rezultojnë ende të zhdukur.
Fëmijët e vrarë në Kosovë, më shumë se në çdo luftë tjetër në hapësirat e ish-Jugosllavisë, po të krahasohen me numrin e përgjithshëm të viktimave, janë thirrja e vazhdueshme e ndërgjegjes për mizorinë ndaj qenieve më të pafajshme në botë, fëmijëve.
Secili emër i tyre, të cilin ne e sollëm në kujtesë sot në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, na e rrëfen një histori më vete, e të gjithë së bashku jehojnë si thirrje e përhershme për ta kujtuar të kaluarën, ëndrrën e këputur, nga e cila, megjithatë, lindi dhe po rritet Republika jonë.
Por, nëse Republika po lëshon shtat, nëse pavarësia e Kosovës është mbërritur, bashkë me moshën e republikës po rritet edhe distanca me përjetimin, me historinë tone, gjurmët e së cilës mund të treten një ditë. Prandaj, bashkë me shtatin e Republikës, duhet të rritet edhe vetëdija për themelet e saj, për dhimbjen e përhershme mbi të cilën lindi ajo. Thirrja e 1133 fëmijëve duhet të kumbojë çdo ditë në veshët tanë, që shtetin ta bëjmë strehë të sigurt dhe vend në të cilin fëmijët e Kosovës do ta ndërtojmë të ardhmen e tyre.
Ne nuk mund ta shfletojmë faqen e së nesërmes nëse nuk sigurohemi se e kemi lexuar vëmendshëm dhe e kemi mbajtur në mend mësimin e së djeshmes.
Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për njëmijë e njëqind e tridhjet e tre fëmijët që i morën nga ne./InLajmi/
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/videos/610285572921070/?t=0