Në Evropë dobësimi i pandemisë së koronavirusit ka bërë që lehtësimi i masave kufizuese të vazhdojë.
Ekonomia e SHBA-së, në anën tjetër, po shërohet ngadalë, por numri i njerëzve që subvencionohen, shkaku i faktit se kanë ngelur papunë, ka filluar të bjerë për herë të parë që nga shpërthimi i krizës COVID-19.
Megjithatë është ende në një nivel të lartë. 41 milionë amerikanë kanë humbur punën e tyre, disa përkohësisht, që prej kur u prezentua karantina nga mesi i marsit, duke i bërë kështu SHBA-të vendin më të goditur në botë.
Sëmundja COVID-19, e cila u shfaq në Kinë në dhjetor, mori më shumë se 357,000 jetë dhe diagnostikoi më shumë se 5.7 milionë raste në të gjithë botën, sipas llogaritjeve zyrtare.
Shtetet e Bashkuara të mërkurën tejkaluan 100,000 vdekje nga afro 1.7 milion raste.
Në Evropë, ku virusi deri më tani ka vrarë më shumë se 175,000 njerëz, një rënie e numrit të vdekjeve dhe infeksioneve ka lejuar që masat të lehtësohen më shpejt.
Komisioni Evropian të mërkurën njoftoi një plan të jashtëzakonshëm të rimëkëmbjes me vlerë 750 miliardë euro. Por kushtet e tij nuk janë akoma dakord.
Përfituesit e parë do të jenë Italia dhe Spanja, dy vende të dëmtuara keq nga kjo pandemi.
Vendet në Evropën Jugore, ku turizmi përbën një pjesë të madhe të GDP-së, gradualisht po njoftojnë heqjen e kufizimeve, transmeton Telegrafi.
Roma është e angazhuar të rihapë kufijtë e brendshëm në të gjithë BE-në më 15 qershor.