Ehat Miftaraj ka komentuar rreth mundësive që Gjykata Kushtetuese të dalë jashtë rolit dhe kompetencave që ka, në rastin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e Qeverisë.
Sipas tij, Kushtetuesja bëri precedentë më 2010 kur shpalli antikushtetues presidentin Fatmir Sejdiu dhe më 2014, kur me aktgjykim vendosi se vetëm partia e parë në zgjedhje mund të japë mandatarin për ndërtimin e Qeverisë.
“Gjykata Kushtetuese ka ndërtuar dy precedentë në të kaluarën edhe pse nuk eshtë paraparë një normë që të shkojë përtej asaj që e parasheh Kushtetuta. Më 2010 e ka shpallur Sejdiun kundërkushtetues dhe aty përmend se Kushtetuta qëndron e heshtur në këtë çështje”, tha Miftaraj. “Është edhe aktgjykimi i 2014-s që ka përcaktuar se vetëm partia fituese mund të propozojë mandatarin. Edhe këtu është ndërtuar një precedent që i ka dhëë fuqi të gabuar partisë së parë dhe ua ka zvogëluar mundësitë partitë tjera”.
Miftaraj ka thënë se në Kosovë, edhe me ndikimin ndërkombëtar, është ndërtuar demokraci konsensuale.
“Kosova ka ndërtuar një demokarci ku nuk i takon as shumicës as pakicës, kjo ka për qëllim të evitojë mospajtimet mes shumicës e pakicave, por edhe mes partive politike. Është ndërtuar një sistem ku kërkohet konsensusi”, ka thënë juristi Miftaraj.
Ai ka folur edhe për dokumentet përgatitore me rastin e hartimi të Kushtetutës, e të cilat kanë dalë vetëm tash në opinion.
Meqë ato janë shpallur jozyrtare edhe nga Kuvendi, Miftaraj tha se nuk bën të merren për bazë, tha Miftaraj i ftuar në emisionin “Desku” në KTV.
“Në asnjë rrethanë nuk mund t’i përdorë dokumentet përgatitore në këtë fazë, ato nuk mund të jenë burim i së drejtës. Dokumentet përgatitore janë pjesë qoftë e konventave, qoftë e kushtetutave, dhe pastaj ato mund të konsiderohen burim i së drejtës, por në rastin tonë është ndryshe. Këto dokumente nuk janë miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë mundësitë që të keqpërdoren janë jashtëzakonisht të mëdha. Dokumentet përgatitore duhet të bëhen përmes procesverbalit, këto është dashur të dërgohen në Kuvend dhe bashkë me Kushtetutën të aprovohen dhe të llogariten si burim i së drejtës”, vlerësoi ai.