Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Arbër Rexhaj është i bindur se vendimi për dekretin e presidentit duhet të jetë i njëjtë me atë që gjykata kishte marrë në kohën e LAN-it, përkatësisht VLAN-it, në vitin 2014.
“Një rast të tillë, pra të Gjykatës Kushtetuese, e kemi pasë në kohën e LAN-it përkatësisht VLAN-it pak më vonë kur Gjykata Kushtetuese pati thënë decidivisht që subjekti i parë – fitues relativ – e fiton Kryetarin e Kuvendit dhe ka të drejtë ta formojë qeverinë”.
“Ne si Lëvizje Vetëvendosje presim që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendosë në raport me atë se çfarë ka vendosur më parë – do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën që ta bëjë qeverinë. Në ndërkohë, ne kemi insistuar në zgjedhje për shkak që kemi pasë mocion i cili e ka rrëzuar qeverinë. Në momentin kur një mocion e rrëzon qeverinë, atëherë vendi ynë duhet të shkojë në zgjedhje. Kemi shembuj kur presidenti e ka dërguar vendin menjëherë në zgjedhje”, ka thënë Rexhaj.
“Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta rithotë fjalën e vet të cilën e ka thënë në kohën e VLAN-it, pra ta thotë vendimin e vet jo në favor tonin, por atë që e ka thënë dhe është e pakthyeshme më”.
Ai ka insistuar që Gjykata Kushtetuese duhet ta rikonfirmojë vendimin që e kishte marrë në kohën e VLAN-it pasi, sipas tij, në të kundërtën bie në kundërshtim me veten.
“Në rastin e VLAN-it, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur në favorin tonë. Atëbotë PDK-ja pati dalë e para në zgjedhje, derisa ne kishim krijuar një bllok. Gjykata Kushtetuese pati thënë që qeverinë duhet ta bëjë PDK-ja. LDK-ja me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar vet këtë bllok shkoi në koalicion me PDK-në”.
“Kemi vendim që është i ngjashëm 100 për qind me këtë që e kemi. Çfarëdo vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese bie në kundërshtim me vet vendimin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të duhej që ta ritheksonte vendimin”, tha ai në Info Magazine të Klan Kosovës.
Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese kur ka konstatuar vet që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta japë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë./InLajmi/