E ftuar e Bieta Sulos ishte alpinistja kosovare Arineta Mula. Arineta u shpreh se ka agjëruar gjatë kësaj periudhe, por theksoi se kjo, gjë nuk e ka penguar që të zhvillojë ushtrime fizike. Ajo tha se nuk e ka problem të qëndroj pa bukë e pa ujë, sepse në ekspeditat e saj si alpiniste, shpesh qëndron shumë orë pa konsumuar asgjë.
“Ka qenë një nga kohët më të mira që kam kaluar. Kam mësuar gjëra të reja, e kam parë botën dhe jetën në një mënyrë më të shëndetshme. Ne sportistët jemi mësuar të jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje, por në këtë kohë duke marrë parasysh gjendjen, pasionin që ke dhe e ushtron në mal apo në natyrë, fillon ta bësh në ambientet e shtëpisë. Një gjë të tillë bëra dhe unë.
Fillova një rutinë ditore më ka ndihmuar shumë. Kam shpërndarë çdo ditë në rrjete sociale ushtrime dhe në një farë mënyre kam komunikuar me ndjekësit e mi. Ne jemi në distancë fizike, por jo sociale, sepse ne jemi gjatë gjithë kohës në komunikim me njerëzit. Për agjërim, të gjithë më kanë pyetur, nëse do ta bëj vrapimin në gjashtë të mëngjesit dhe ushtrimet gjatë ditës. Në Muajin e Ramazanit më shumë merr sesa jep. Unë më shumë i kam shtuar ushtrimet, trupi m’u ka dukur më mirë, më i lehtë. Kam shtuar pak ngjitjen dhe i kam realizuar në mëngjes. Në ekspeditat e mia kam qëndruar pa bukë dhe pa ujë për orë të tëra”, u shpreh alpinistja.