Avokati Arianit Koci ka shprehur lavdatat e tij për sistemin e burgjeve të Kosovës, duke thënë se situata me pandeminë COVID19 është menaxhuar mirë, përcjell InLajmi.
Ai ka vizituar Burgun e Sigurisë së Lartë, teksa ka shkruar në facebook se “Nuk ke si të mos befasohesh për të mirë me rregullin, pastërtinë, disiplinën dhe masat e kujdesit për luftën kundër infeksionit”.

Ndërkaq tutje ka njoftuar se vizitat familjare e të burgosurve deri më tani kanë qenë dhe ende janë të ndaluara, për shkak të pandemisë.
“Madje, nëse i paraburgosuri/burgosuri ka apo ka pasur nevojë të shkoj në spital, pas kthimit futët në karantinë. Pra, është minimizuar rreziku. Sidoqoftë, sot e kuptuam që ishim të parët që u lejuam zyrtarisht të futemi brenda, dhe të jemi pjesë aktive e një procesi hetimor”, ka shkruar ai.
Ndërkaq gjatë ditës, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se do të fillojnë lehtësimin e masave dhe do të lejojnë kontaktin e avokatëve me të paraburgosurit.
Përmes një komunikate për media, SHKK ka bërë të ditur se gjatë vizitave, avokatët janë obliguar të kenë me vete ID kartelë valide dhe të mbajnë distancën sociale të pajisur edhe me dorëza e maska./InLajmi/





















