Kryetari i PDK-së Kadri Veseli gjatë ditës ka vizituar punimet që po bëhen për të ndërtuar Parkun e Erës në Bajgorë, prej kompanisë “SOWI Kosovo” e cila është një ndërmarrje e përbashkët kosovare, gjermane dhe izraelite, përcjell InLajmi.
Ai tha se këtu bëhet fjalë për një projekt gjigand të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, duke vendosur 27 turbina, që vihen në punë prej erës, me një total të kapacitetit të instaluar prej 105 megavatesh. Ky është një investim strategjik që forcon pavarësinë energjetike të Kosovës dhe që, duke përdorur fjalën e fundit të shkencës, mundëson prodhimin e një sasie të konsiderueshme të energjisë elektrike pa cenuar mjedisin apo shëndetin e qytetarëve.
Veseli shkroi duke thënë se realizimi i këtij projekti, do të kushtoj mbi 180 milionë euro, duke përbërë kështu një nga investimet e drejtpërdrejta të huaja më të rëndësishme në vend.
“Çka e bën edhe më të vlefshëm këtë projekt, është fakti që ky projekt ka mundësuar modernizimin e infrastrukturës për komunitetin e zonës përreth dhe ka hapur vende të shumta të reja të punës për banorët Shalës së Bajgorës. Një tjetër gjë që më gëzoi gjatë bisedës në kantier, ishte fakti që edhe operacionet më të vështira të realizimit të projektit ishin duke u bërë nga ekspertët kosovarë” tha ai.
Veseli u shpreh se objektivi kryesor i qeverisë së Kosovës dhe i gjithë klasës politike, nuk duhet të jetë konfliktualiteti apo emërimet politike nëpër borde siç po ndodh tani, por duhet të jetë tërheqja e investitorëve seriozë, për projekte shembullore që sjellin zhvillim e mirëqenie, sikurse Parku i Erës në Bajgorë./InLajmi/