Pas afro dy vitesh rezistencë nga ana e komunitetit të artistëve, u shemb në orët e para të mëngjesit me dhunë godina monumentale e Teatrit Kombëtar.
Në këtë video të publikuar nga “Shekulli”, shfaqen pamje nga ora 04:30 e mëngjesit, kur fadroma e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit shkallmon pjesën ballore të Teatrit Kombëtar, dhe më pas atë Eksperimental.
Pas zbrazjes nga gardëroba dhe rekuizitat të godinës, fadromat vijuan në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele prishjen e pjesës së mbetur të godinës.
Forca të shumta të policisë rrethuan zonën duke nxjerrë nga Teatri një pjesë të aktorëve që ishin brenda. Kujtojmë që aktorët deklaruan dje se kishin sinjale se godina do të shembej natën, kësisoj u vendosën brenda saj.
Policia ka rrethuar të gjithë perimetrin e Teatrit duke mos lejuar afrimin e qytetarëve në perimetrin e vendosur. Raportohet se ndaj aktorëve është hedhur nga Policia gaz lotsjellës dhe disa prej tyre janë shoqëruar në Polici.