Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha thotë se praktika e kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit lidhur me një është e gabuar, përcjell InLajmi.
Batusha përmes një shkrimi në facebook ka deklaruar se është e gabuar qasja e komunës ndaj idesë së rimodelimit të kësaj rruge në qendër të Gjakovës.
“Nuk jemi duke jetuar në mesjetë, në feudalizëm. Atë sistem ku udhëheqësi/pronari vendos vetë për financat, punën e përditshme, çka të pijmë e çka të hajmë, ku nuk pyetet askush përveç tij/saj. Nuk jemi skllevër, ne si qytetarë jemi pjesë vitale e politikave publike dhe projektet e tilla duhet të bëhen vetëm me pëlqimin e qytetarëve sepse nuk jemi në feudalizëm por jemi në DEMOKRACI. Do duhej që projektin ta kishim të gjithë në dorë, të detajizuar me gjithë parametrat teknik e urbanistik. Me pamjet se si do duket pas realizimit. Fundja, jeta e përditshme e qytetarëve tanë po preket, pa miratim të tyre, pa më të voglën ide se si dhe pse po ndodhë”, thuhet në reagim.
“Nuk është buxheti dhe as komuna pronë e juaja. Ndërsa shijet janë çështje personale. Edhe po të ishit piktorë apo arkitektë nuk do të kishit të drejtë që shijet tuaja t’na impononi duke i shpërfaq ato dhe talentin tuaj në projektet publike. Ndoshta, kemi të bëjmë me ëndrra të parealizuara rinore, ku i dihet. Projektet infrastrukturore që kanë të bëjnë me jetën dhe mirëqenien e qytetarëve nuk janë vokacion z.Kryetar. Vokacionin tuaj prej fotografi do ta realizonit më mirë nga ndonjë projekt i realizuar sipas kritereve, sepse do të kishim një pamje shumë më të bukur sesa shija juaj ndaj betonit. Ju kryetar, e dini, se në takimet me bizneset që keni pasur pothuajse të gjithë ju kanë kundërshtuar. Ambientalistët janë kundër. Këmbësorët që ecin çdo ditë në ato trotuare janë kundër. Andaj, për kë po e bënë?! Bëje publik projektin. Pyeti qytetarët dhe bizneset në atë rrugë. Përgjigju pyetjeve të tyre dhe të asamblistëve. E ke për obligim”, ka shkruar ai./InLajmi/