Këngëtari i njohur Sabri Fejzullahu ka mbajtur sot (e shtunë) një koncert në stadiumin “Fadil Vokrri”. Koncerti grumbulloi mijëra shikues nga shtëpitë e tyre, të cilët patën mundësinë të dëgjonin interpretimin e mrekullueshëm të tij.
Në mesin e shumë këngëve të tij, ai pati rastin t’i këndojë Prishtinës, këngët të cilat ia ka dedikuar gjatë gjithë karrierës së tij. Nga kjo performancë janë mahnitur të gjithë qytetarët e Prishtinës, duke përfshirë edhe kolegët e tij dhe figura publike.
Gili ishte njëra nga këngëtaret që komentoi performancën, duke postuar kështu edhe një fotografi nga koncerti në rrjetin social Instagram. “Këndofsh gjithmonë”, ka shkruar ajo.
“Në këto ditë të trishtueshme na i flladitë zemrat tona me zërin tënd magjik”, ka shkruar këngëtarja Leonora Jakupi.
Edhe këngëtari Alban Mehmeti publikoi pamje nga interpretimi i Fejzullahut në rrjetin social duke e quajtur kështu artist legjendar.
“Artisti i madh legjendar Sabri Fejzullahu. Të paçim edhe shumë vite xhaxha”, ka shkruar Albani.
Po të njëjtën gjë e kanë bërë edhe shumë figura të tjera, sikurse Ariana Fejzullahu, Violeta Kajtazi, familjarë e gazetarë.