Rrethojat e hekurit të vendosura te objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë larguar plotësisht dhe ende nuk dihen arsyet dhe kush e ka bërë këtë veprim, shkruan InLajmi.
Rrethojat janë larguar sot pikërisht kur u mbajt edhe mbledhja e kryesisë së LDK-së, ku u vendos për emrin e kandidatit të kësaj partie për kryeministër të Qeverisë së re.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, i ka thënë Gazetës Insajderi, se nuk kanë njohuri se kush i ka larguar këto rrethoja.
Po ashtu Gazeta Insajderi, ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Qeverisë në largim Përparim Kryeziun mirëpo nuk ka qenë i qasshëm.
Kujtojmë, se dje pas takimit të presidentit Hashim Thaçi me liderët e partive politike parlamentare, ku u vendos se nuk do të shkohet në zgjedhje të reja, pasi që, shumica e partive ishin për formimin e një qeverie të re, në rrjetin social Facebook, u thirr një protestë nga simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Protesta është thirrur më 4 maj pikërisht në ditën kur do të përfundojnë masat kundër COVID-19 të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë./InLajmi/