Avni Arifi, Ambasadori i Kosovës, në Emiratet e Bashkuara Arabe ka thënë se në këtë shtet po mbahen nën kontroll qytetarët me testime masive, dhe se doktorrët e bëjnë vetëm këtë punë asgjë tjetër, përcjell InLajmi.
Ka thënë se mjekët atje as intervista nuk po japin pasi të gjithë janë të zënë me testime të atyre që mund të jenë prekur me COVID-19.
“Në Emirate lufta kundër COVID 19 po bëhet më ndryshe dhe duket se kjo mënyrë do të ngadhnjejë. Përveq masave të ngjashme me shtetet tjera për kufizimin e lëvizjeve i tërë fokusi është tek testimet dhe “pastrimi” i zonave ku janë identifikuar persona të infektuar. Rreth 700.000 njerëz janë testuar kurse 49.000 testime janë bërë në 48 orët e fundit”, ka shkruar Arifi, në një postim në FB.
“Krijohet përshtypja se doktorët, epidemiologët, mikrobiologët dhe të gjithë të tjerët nuk bëjnë asgjë tjetër përveq testimeve. As intervista televizive nuk japin se janë duke kryer punën e doktorit. Testime, mbikqyrje dhe trajtime. Jo analiza e as fushata vetëdijësimi. Ka kush i bēnë ato. Duket se rruga e vetme për me mbajtë situatën në kontroll janë testimet”, ka shtuar ai.
Sipas worldometers.info. në Emiratet e Bashkuara Arabe deri më tash janë prekur 3,360 persona, kanë vdekur 16 dhe janë shëruar 418, në një popullsi prej gati 10 milionë banorësh.
Deri tash janë prekur afër 1.7 milion njerëz, prej të cilëve 102 mijë kanë vdekur ndërsa 377 mijë janë shëruar. Në Kosovë janë infektuar 250 njerëz, kanë vdekur 7 dhe janë shëruar 52.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.
Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi.
Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve.
Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore./InLajmi/