Në Kryqin e Kuq të Prishtinës janë shtuar kërkesat e familjeve në nevojë për ndihma elementare. Në këtë organizatë thonë se brenda ditës pranojnë mbi 150 telefonata nga njerëz që kërkojnë ushqim dhe pajisje higjienike në qytet dhe fshatra të Prishtinës, përcjell InLajmi.
Ata thonë se po u dalin në ndihmë këtyre familjeve duke shpërndarë pako çdo ditë.
Situata e krijuar me koronavirus në Kosovë e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e familjeve në nevojë.
Shumë biznese e kanë pezulluar punën dhe kërkesat e qytetarëve që jetojnë në kushte të vështira socio-ekonomike, për pako ushqimore e higjienike, janë shtuar.
Sekretari i Kryqit të Kuq në Prishtinë, Hasan Mustafa, thotë për KosovaPress, se numri i thirrjeve në këtë qendër është shtuar pas përhapjes së koronavirusit.
Duke theksuar se n ë këtë qendër janë të regjistruara 1600 familje, ai thotë se numri i njerëzve që po kërkojnë ndihmë është rritur në një përqindje të madhe prej se është përhapur Covid-19.
Mustafa: 1000 telefonata për ndihma i kemi pasur javën që shkoi
“Numri i atyre që telefonojnë të ne, lirisht mund të them diku 1000 telefonata javën e kaluar i kemi pasur, tash kjo javë njëjtë po vazhdon sikur javën e kaluar. Javën e kaluar prej Kryqit të Kuq të Prishtinës janë shpërndarë 200 e më shumë pako ushqimore e higjienike, miell për të gjitha familjet që e kemi të verifikuara dhe ato që nuk i kemi të verifikuara”, thotë ai.
Ai thotë se shumica janë nga qyteti i Prishtinës, por që ka edhe nga fshatrat përreth./InLajmi/




















