Nën moton “rrriNshpi e lexo”, Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës ka nisur klubin e leximit, i cili po mbahet përmes platformave online për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID – 19, përcjell InLajmi.
Në komunikatën e Universitetit të Prishtinës thuhet se takimi i parë i këtij grupi ishtë mbrëmë, me ç’rast studentët nga të gjitha drejtimet, por edhe nga Maqedonia dhe nxënësit e shkollave të mesme u bënë bashkë dhe diskutuan rreth librit “1984” të autorit George Orwell.
Njëra ndër organizatoret, Medina Pasoma, thotë se themelimi i këtij klubi është inciativë e mirë në këtë kohë të izolimit.
“Mendoj që iniciativa e Klubit të Leximit në këtë kohë është tejet e duhur, duke marrë parasysh gjendjen në izolim. Është koha më e mirë për t’ju kthyer librit tani, për të vazhduar me diskutime virtuale, të cilat si të kalojë gjendja e pandemisë do të zhvillohen edhe si diskutime fizike”, theksoi Medina.
Ndërsa, të gjithë dashamirët e librit që duan të bëhen pjesë e këtij klubi mjafton që të kontaktojnë organizatën në rrjetet sociale dhe aktivistët do të kujdesen që të gjithë të interesuarit të anëtarësohen në këtë klub.
Ky klub u themelua për të iu ndihmuar studentëve që të kalojnë më lehtë këtë kohë pandemie dhe pas mbarimit të saj klubi do të zhvillojë aktivitetet në mënyrë fizike./InLajmi/