Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, është takiuar sot me koordinatoren për zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrika Richardson për të diskutuar rreth pandemisë, përcjell InLajmi.
Ato diskutuan për situatën me të cilën po përballen institucionet e kulturës, rinisë e trashëgimisë me situatën në kohë të pandemisë si dhe biseduan politikat dhe programin që MKRS’ja ka për rininë.
Në këtë takim, Dumoshi ka njoftuar përfaqësuesen e UNKT’së, Ulrika Richardson, për punën që po bën MKRS’ja në këtë kohë të vështirë të pandemisë.
“Jam duke zhvilluar komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me të gjithë drejtuesit e institucioneve, të organizatave kulturore, të rinisë, sportit e të trashëgimisë. Jam e informuar për së afërmi me problemet dhe sfidat me të cilat përballen ato dhe që do t’i kenë edhe pas kalimit të pandemisë, andaj kërkoj edhe nga entitetet e Kombeve të Bashkuara nën siglën e UNKT-së, mbështetje të çfarë do forme për MKRS-në dhe këto organizata të cilat do të kenë vështirësi të mëdha. Me një bashkëpunim të MKRS-së me UNKT- në në këtë rast do t’i ndihmonte drejtpërdrejt këto organizata”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Ndërsa, Richardson theksoi se ekipi e të cilin ajo e përfaqëson është e interesuar të përkrahë MKRS’në në fushat e rinisë dhe të trashëgimisë dhe u shpreh se është i nevojshëm vazhdimi dhe fuqizimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes UNKT’së dhe MKRS’së.

Ministrja Dumoshi e falënderoi Richardson, që ndonëse në kohë pandemie ka gjetur kohën t’i ndodhet pranë institucioneve të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke treguar gatishmërinë për të dëgjuar për sfidat dhe planet me të cilat përballet dhe merret MKRS’ja./InLajmi/